Secondary Adv

Raporti, vlerësimi i ndikimit në mjedis për projektet e energjisë mbetet i dobët

Sekretariati i Komunitetit të Energjisë kërkon përmirësim të kuadrit ligjor dhe kapaciteteve për VNM.

Sekretariati i Komunitetit të Energjisë vëren se Shqipëria duhet të përmirësojë kuadrin ligjor në lidhje me vlerësimin e ndikimit në mjedis për projektet e energjisë, duke përfshirë edhe forcimin e kapaciteteve njerëzore dhe përcaktimin e kritereve të certifikimit të ekspertëve. Në raportin vjetor që analizon ecurinë e përafrimit ligjor sipas fushave, Sekretariati thekson se janë ndërmarrë disa hapa, por avancimi ka qenë i ngadaltë.

 

Mangësitë në skemën e VNM-së

“Shqipëria ka nisur hartimin e rregullave dhe procedurave për Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis (VNM) në një kontekst ndërkufitar, siç kërkohet nga neni 7 i Direktivës së VNM-së. Gjithashtu është raportuar progres në lidhje me krijimin e një skeme certifikimi për ekspertët e VNM-së. Megjithatë, kjo skemë mbetet e vonuar dhe e papërfunduar, ndërsa kriteret për certifikimin e ekspertëve të VNM-së, ekspertizën mjedisore dhe auditimin mjedisor ende nuk janë plotësisht të përcaktuara, duke dobësuar kuadrin institucional të nevojshëm për zbatimin efektiv të Direktivës së VNM-së”, thuhet në raport.

 

Mospërputhje me direktivat e BE-së

Sipas dokumentit, nuk janë ndërmarrë hapa të mëtejshëm për të adresuar mangësitë e evidentuara në raportet e mëparshme të zbatimit, duke bërë që Shqipëria të vijojë të jetë në mospërputhje me nenet 8 dhe 8a të Direktivës së VNM-së. Ligji aktual për VNM-në konsiderohet i pamjaftueshëm, pasi nuk kërkon që vendimet për dhënien e lejes së zhvillimit të përfshijnë përfundimin e arsyetuar të VNM-së, kushtet mjedisore, masat zbutëse dhe detyrimet për monitorim, ndërsa kriteret e përzgjedhjes nuk janë në përputhje me Aneksin III të Direktivës.

 

Kapacitetet institucionale dhe projektet energjetike

Sekretariati vëren se VNM-ja është e integruar në sistemin “one-stop-shop” për lejet e ndërtimit, por kapacitetet institucionale për kryerjen e vlerësimeve mbeten të kufizuara dhe të pamjaftueshme për një proces të harmonizuar me vlerësimet e tjera të lidhura, si biodiversiteti dhe ndikimi në ujëra. Gjatë periudhës raportuese janë raportuar mbi 50 VNM për projekte energjetike, kryesisht fotovoltaike dhe hidroenergjetike, si dhe një park i madh eolik me kapacitet 120 MË. Sekretariati ka marrë gjithashtu një ankesë lidhur me procedurën e VNM-së për termocentralin me kapacitet 170 MË në Roskovec, ndërsa shqetësime vazhdojnë për projektet hidroenergjetike në lumenjtë Vjosë dhe Valbonë dhe për projektin e Skavicës.

 

Vlerësimi Strategjik Mjedisor dhe NEKP

Sekretariati nënvizon se Direktiva për Vlerësimin Strategjik Mjedisor është transpozuar kryesisht në legjislacionin kombëtar, por zbatimi i saj mbetet i pamjaftueshëm. Rishikimi i planifikuar i Planit Kombëtar të Energjisë dhe Klimës, i cili duhet të përfshijë një raport të përditësuar të Vlerësimit Strategjik Mjedisor për integrimin e plotë të konsideratave mjedisore, ishte parashikuar për këtë periudhë raportimi, por është shtyrë sërish pa një udhërrëfyes të qartë për realizimin e tij.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat